Policia e Bulqizës ka arrestuar një 24-vjeçar i cili ka kanosur për jetën një shtetas tjetër i hedhur pranë banesës një zarf me barut dhe një letër me mesazh kërcënues.

Pas hetimeve të autoriteteve u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Ramis Markja 24 vjeç, banues në Shupenzë, i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se pranë banesës së një 57-vjeçari, në fshatin Zogaj, ishte hedhur një zarf me barut në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zogaj”,  u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 24 vjeç, banues në Shupenzë (i dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 24-vjeçari ka hedhur në oborrin e banesës së shtetasit N. Ll., 57 vjeç, një zarf me një sasi të vogël pluhur baruti në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën.”, njofton policia.