Teksa mizoritë ruse mbi civilët ukrainas vijojnë prej rreth 4 muajsh, është për të të ardhur keq, sesi trupat diplomatike ruse në vendet evropiane kremtojnë festa që shënjojnë fitore të ndryshme si ajo mbi nazi-fashistët.

Ambasada ruse në vendin tonë, më 12 qershor ka festuar atë që njihet si Dita e Rusisë, e cila u njoh zyrtarisht më 12 qershor 1991 dhe shënjon krijimin e Rusisë si një vend i pavarur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991. Por përballë kësaj feste dhe simbolikës së saj, kemi një Rusi mizore, e cila po tenton të rikthejë Bashkimin Sovjetik, duke okupuar territore të shteteve të tjera të pavarura. Agresioni mbi Ukrainën apo aneksimi i Krimesë, dëshmojnë këtë hipokrizi ruse.

Kjo festë u kremtua edhe në vendin tonë nga ambasada Ruse, festë në të cilën morën pjesë veç qytetarëve rusë, edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, apo organizatave të ndryshme.

Por kjo është festa e dytë që kremtohet me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile apo organizatave të ndryshme që operojnë në vendin tonë. Një festë e tillë u realizua edhe kushtuar 9 majit, që njihet si dita e fitores ndaj nazistëve.

Për ironi të fatit, ndërkohë që në Ukrainë, vriten civilë, fëmijë të pafajshëm, shkatërrohen qytete, Evropa është zhytur në një errësirë nga agresioni i padrejtë dhe mizor i Rusisë, në Tiranë përfaqësia diplomatike ruse feston ngadhënjimin mbi nazizmin! Lind pyetja?! Çfarë është duke bërë Rusia tani ndryshe nga Nazistët?! Hipokrizia e Vladimir Putin si dhe e përfaqësuesve të tij nëpër botë nuk ka kufij. Si duket për Rusinë e Putin nuk ka rëndësi, as paqja, as miqësia as vetë jeta e njerëzve. Është e turpshme se si shoqata shqiptare kulturore, mbështetin dhe festojnë me këtë përfaqësi, që hipokrizinë e ka fytyrë diplomatike!/topnews