Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar gardistin Martin Nikolla, i cili u përfshi sot bashkë me të afërmit e tij në një sherr në Hamallaj me familjen Kaçi.

Kujtojmë se ai qëlloi me armë zjarri, e cila ishte e shërbimit, në ajër.

Njoftim i plotë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Durrës-Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor Martin Nikolli, pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.

Veprimet proceduriale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit Martin Nikolli 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë.