Gjyqi për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shtyrë sërish. Shkak është bërë një pasaktësi në 109 prokurat e paraqitura nga avokati i familjarëve, Dorjan Matlia.

Prokurorët kërkuan kohë për të kryer verifikimet e kësaj prokure. Gjyqi i radhës për Mediun do të jetë më 18 korrik ora 14:00.

Kjo është hera e katërt që është shtyrë seanca ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në faqen e gjykatës do të shpallet lista me 109 personat familjare të viktimave.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, ‘SAC’ dhe ‘Albademil’. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.