Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur të shtyjë vendimin për masat e sigurisë për 6 të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza”.

Në përfundim të seancës së kësaj të marte caktoi datën 31 gusht për të shpallur vendimin për kërkesat e të pandehurve për një masë më të butë sigurie.

Në sajë të këtij operacioni u arrestuan biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales, Oltion Bistri, ish-efektvi Adrit Hasanbegaj, Asmer Bilali , Edmond Preka, ky i fundit shoferi i biznesmenit Gjoka.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe 9 persona të tjerë mes të cilëve Behar Bajri dhe Ervis Martinaj. SPAK, finalizoi dhe lëshoi 15 urdhër arreste për këtë operacion, pas zbërthimit të aplikacionit SKY. Ndaj tyre rendojnë 12 vepra penale, nga ajo e “Vrasjes me paramendim”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetëror” deri në “Shpërdorim detyre” e “Pastrim parash”.

Në një deklaratë jashtë ambienteve të SPAK, Ylli Manjani, avokat i Pëllumb Gjokës është shprehur se nuk duhet të zhvillohen gjyqe të mbyllura.

Po ashtu, Manjani tha se për të lidhur një person me një ngjare, duhet të ketë prova konkrete dhe jo vetëm hamëndësime.

“SPAK ka të njëjtin qëndrim që ka prokurorët e vendeve të tjera. Jemi në sintoni të plotë. Në sallën e gjyqit nuk ka sekrete dhe nuk ka dosje hetimore. Nuk ka gjyqe të mbyllura vetëm Shqipëria i bën këto pisllëqe. Mediat të jenë në sallë”.