Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku një punonjës policie ka humbur jetën pasi u plagos nga kolegu i tij.

Çaush Saliasi u dërgua në gjendje të rëndë në spital, por pa mundur t’i mbijetonte plagëve të marra.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Mine Peza, në komisariatin nr. 3, ku Ludian Zaimi, në rrethana ende të paqarta, plagosi kolegun e tij Saliasi.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.