Prokuroria e Lezhës kërkon dënimin me 20 vite burg për Redion Hysën, i cili akuzohet për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur në dhjetor 2020 në Gajush të Lezhës.

Sipas Prokurorisë, Hysa u dyshua për ngjarjen pas gjetjes së një arme pistoletë të fshehur në një depozitë uji në tarracën e banesës së tij.

Në armën pistoletë nuk janë gjetur gjurmë gishtërinjsh, por ekspertiza balistike provoi me të është kryer qitje në vendin ku u vra ish-efektivi Prela.

Në vijimësi Hysa ka mbajtur qëndrim mohues për ngjarjen. Ai ka pohuar se nuk ka dijeni se si ka përfunduar arma pistoletë pranë banesës së tij.

Pas veprimeve hetimore ndaj dy te rinjve u ngritën akuzat “Mbajtjes pa leje te armeve dhe municioneve” dhe “Kanosjes me arme”, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 28 gëzhoja.

Pas një kontrolli rezultoi se njëra nga armët, pistoleta e gjetur ne depozitën e ujit qe ndodhej mbi tarracën e shtëpisë se Redion Hysajt, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen ku mbeti i vrarë efektivi Xhuliano Prela.

Ekspertiza balistike, ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit, ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajete, efektivi i policisë.

Madje ekspertët, shtojnë se edhe predha, që i ka marrë jetën punonjësit të policisë, është qëlluar pikërisht nga arma e gjetur në banesën e Redion Hysës.

Për ketë fakt, Hysa është njohur me rezultatin e ekspertimit balistik dhe gjetjen e armës në depozitën e ujit tek shtëpia e tij, por ai ka preferuar të mos flasë dhe mos japë asnjë shpjegim rreth provave të siguruara nga policia dhe prokuroria.

Xhulio Prela, 26-vjeç, po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte marrë nga Rinasi dhe dërguar më pas në shtëpi një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia.

Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit, teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër, duke i shkaktuar vdekjen.

Pasi u qëllua, makina tip “Volksëagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra, duke përfunduar në anë të rrugës. Edhe pse ka pasur armën e shërbimit me vete, Prela nuk ka mundur ta përdorë atë sipas ekspertëve.