Spartak Dobi, bashkëshorti i Rozeta Dobit e cila është arrestuar për vjedhjen e shumave të majme nga banesa të zyrtarëve të lartë në të cilat punonte si pastruese, ka treguar se çfarë di ai lidhur me ngjarjen.
Duke folur për News24 ai ka rrëfyer momentin kur ka shkuar në paraburgim për të takuar të birin, Havierin, i cili është arrestuar bashkë me të ëmën, dhe e ka gjetur atë në gjendje të rënduar psikologjike.
Ai thotë se djalin e gjeti me kokën në dysheme, dhe se ishte mërzitur shumë që nëna e tij nuk kishte pranuar fajin e vetme, dhe nuk e kishte nxjerrë këtë të fundit nga burgu.
“I kërkoj shtetit dhe i lutem qeverisë dhe Ramës që djalin ta lirojnë me kusht, se atë djalë kam, s’kam njeri.
Djali kishte ra në çimento, koka në çimento, se i vjen inat që pse nëna e vet nuk e mori përsipër fajin, asgjë s’më tha. Paratë i kishte fshehur gruaja, djali s’ka ditur asgjë. Kemi dalë ne dhe ajo e shfrytëzoi. Dua vetëm të më lirojnë djalin me kusht”, rrëfen ai.
Ndërkohë me tej thotë se më të shoqen nuk ka pasur asnjë komunikim që pas momentit të arrestimit, ndërsa këtë të fundi e bën fajtore për të gjithë këtë situatë në të cilin ka futur, sipas tij, padrejtësisht të birin.
“Me bashkëshorten nuk fola, iku. Si flet djalit të vet! Gruaja… po ca kujdesej ajo për djalin, po të donte e kishte nxjerr djalin jashtë, do dënohej 5 o 7 vjet. Djalit po mos i jepte pare, si do i blinte makinat. Ti ku i gjete lekët”, deklaron ai.