Aktorja e njohur, Kaltrinë Zeneli, ishte e para që ditën e djeshme publikoi videon e tmerrshme ku një e moshuar shfaqej duke u dhunuar nga infermieret e një qendre azili.
Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku tregoi se si u ndie kur pa për herë të parë pamjet e rënda.
“E kam përjetuar shumë, shumë rëndë. Ka qen shok për mua. Që dje nuk kam arritur me e pa deri në fund dhe nuk po mundem. Vendosa me reaguar dhe e postova. Nuk mundova më shumë, kërkova ndihmë nga miqtë e mi në televizion”, u shpreh aktorja e njohur.
E pyetur nëse ia dërgoi policisë pamjet e rënda, Zeneli u shpreh:
Jo, por kur e publikova në rrjetet e mia sociale i etiketova policinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme. Prej policisë nuk mora përgjigje. Prokuroria e Pejës reagoi dhe më kërkoi informacione se ku e kisha marrë. Brenda 1 ore më kanë kontaktuar dhe më thanë se janë marrë masat e duhura dhe më kanë falënderuar për bashkëpunimin.
Pjesë nga intervista:
Ka shumë që mendojnë se nuk duhej të ishte publikuar kjo video, ishte e rëndë për ta publikuar. Çfarë mendon?
Po ka komente të shumta, shumica janë urime për guximin, faleminderit që e ke postuar. Kur e postova nuk mendova për pasojat, por doja t’i dilja në ndihmë kësaj zonje.
Ke pasur kërcënime?
Po.
Nga kush?
Në rrjetet e mia sociale emri im është Kaltrinë Zeneli, me ë në fund. Po i shkruajnë një tjetre që e ka emrin Kaltrina dhe jo Kaltrinë siç e kam në rrjetet sociale.
Si të ra në dorë kjo video?
Më ka ardhur në “Instagram” nga një person pa ndonjë emër. Është një person anonim, ku më kërkoi ndihmë dhe donte të dinte se çfarë të bënte.Më vonë më kërkoi videon, duke qenë se punoj në një organizatë feministe.
Ti nuk ke informacion nëse ky person punon në këtë qendër?
Jo. Ka persona që mendojnë se kam qenë duke xhiruar dhe kam qenë aty kur ka ndodhur ngjarja. Por unë nuk kam lidhje me të, thjesht ma nisën.