Një aksident tragjik ka ndodhur në aksin Lezhë- Shkodër me dy të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja e rëndë u shënua te vendi i quajtur “Kryqëzimi i Kallmetit” rreth orës 5: 10 minuta.
Burime bëjnë me dije se nje automjet Fiat ka goditur nga pas një zetor, ku nga përplasja e fortë kanë humbur jetën në vend, shoferi dhe pasagjeri i Fiat-it, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur.
Pas goditjes, drejtuesi i zetorit, Ardian Tomaj nga fshati Gocaj, ka humbur kontrollin duke e nxjerrë mjetin nga rruga e për pasojë ai ka marrë disa lëndime dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën në spitalin e Lezhës.
Paraprakisht, shkak i këtij aksidenti tragjik dyshohet të jetë bërë shpejtësia dhe përgjumja e shoferit të Fiat-it.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje ku po punohet për shkaqet e këtij aksidenti tragjik.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 05:00, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Kallmetit”, shtetasi P. M. banues në Tale, Lezhë, duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, ka goditur nga pas karrelin e një mjeti bujqësor zetor i drejtuar nga shtetasi A. T. banues në Gocaj, Lezhë.
Për pasojë kanë ndërruar jetë drejtuesi i mjetit “Fiat” shtetasi P. M. 56 vjeç si dhe pasagjeri po në këtë mjet shtetasi M. Gj. 54 vjeç.
Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.