Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u rikthye në vëmendjen e publikut tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, ku treguan rastin e paprecedentë në qytetin e Durrësit.
Në qytetin bregdetar, banorët rrezikojnë jetën pasi pallati ku jetojnë është zhytur 70 centimetër. Bashkim Gjika, i cili është banor i atij pallati ka treguar se ekspertiza e bërë nga bashkia e Durrësit doli në përfundimin se duhej që të riparohej.
“Por ekspertiza e Prokurorisë e nxori atë të pabanuar dhe se duhej që të prishej”, shtoi ai. Bashkimi tregoi gjithashtu se banorët kanë përfituar vetëm 4 muaj bonos qiraje nga bashkia dhe më pas banorët janë rikthyer sërish në pallat.
“Disa nuk kanë para që të marrin shpi me qira, nga 48 familje që jetonin këtu, tani janë 15-16 familje që janë rikthyer. Unë nuk jetoj këtu, pasi është e frikshme që ta shohësh, por ka të tjerë që nuk kanë mundësi të tjera”, tha Bashkimi.
Ndërkohë avokati që ka këtë çështje, tregoi se ky është problem para se të binte tërmeti. “Është çështje e vjetër, pasi lokali në kat të parë ka prekur strukturën mbajtëse të gjithë ndërtesës. Pas tërmetit u fut edhe procesi i azhurnimit, për të kuptuar se sa i dëmtuar është pallati. Pallati është i pa riparueshëm, rrezikon jetën e banorëve dhe është e rrezikshme edhe për ndërtesat pranë”, tha avokati.