Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur nga prokuroria për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit, e cilësuar edhe si vrasja e shekullit. Thirrja e ish-kryeministrit vjen në një moment kyç, pasi gjykata penale e Tiranës rinisi nga e para pas më shumë se dy dekadash procesin ndaj Izet Haxhisë të dënuar për vrasjen e ish-deputetit demokrat në vitin 1998.


Por teksa u pyet në një lidhje live me gazetarin Blendi Fevziu në emisionin OPINION se a do marrë pjesë në gjyqin për vrasjen e Hajdarit, ish-kryeministrit iu dridh zëri, ndërsa tha se ky është një proces politik.


Sipas tij, hapja e një procesi që i ka kaluar të gjitha shkallët përfshirë dhe gjykatën e Strazburgut është politike dhe e organizuar nga Rama.


 “Unë e kam kryer detyrën time. Unë kam dhënë një dëshmi që ka qenë shteruese për ato që kam ditur. Kjo e dyta është politike. Edi Rama hakmerret për Nexhmie Hoxhën. Kjo bëhet për të nxjerrë jashtë vrasësit,Jaha Salihin, për të nxjerr jashtë pjesëmarrësin në vrasje, Izet Haxhiun. Të hapësh një proces i cili i ka kaluar të gjitha shkallët përfshirë dhe gjykatën e Strazburgut, kjo është politike. Se ekzekutorët janë të gjithë të dënuar. Cili është porositësi, është shteti, Fatos Klosi.”, tha ish-kryeministri në OPINION.