Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Dibër, ku një 15-vjeçar është plagosur me armë zjarri.

 Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, teksa autori, pas ngjarjes, ka fshehur armën në mal, por është zbuluar dhe arrestuar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, i dëmtuar, dyshohej me armë zjarri, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi K. V., 21 vjeç, mbi fshatin Ceren, në njësinë administrative Kala e Dodës, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri 15-vjecarin, banues në fshatin Ceren, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë (me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin), si dhe një sasi municioni luftarak.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. V., 21 vjeç, banues në fshatin Ceren, Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A. L., 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin”.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.