Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në Mallakastër, ku një i moshuar ka rënë pre e një grabitjeje me dhunë në shtëpinë e tij.
Policia ka njoftuar se në fshatin Klos, dy të rinj,të identifikuar si Ervis Halimi 22 vjeç dhe Musa Gudo 28 vjeç, kanë hyrë në shtëpinë e një 89-vjeçari dhe duke e kërcënuar me armë, i vodhën një shumë parash. Të dy autorët e grabitjes janë arrestuar më pas nga policia, teksa i moshuari ndodhet në spital pasi është dhunuar nga dy të rinjtë. Nuk dihet se si është gjendja e tij.
Nga ana tjetër është proceduar në gjendje të lirë dhe një 16-vjeçar, i cili kishte dijeni për ngjarjen dhe ka ndihmuar dy grabitësit.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohet arma e zjarrit dhe automjeti që autorët përdorën gjatë vjedhjes.
Rreth orës 08:00 të datës 19.11.2022 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.