Një  ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në pikën kufitare të Morinës, ku një emigrant sirian është plagosur nga policia.

Mësohet se një furgon me klandestinë  ishte duke tentuar  të kalonte ilegalisht kufirin në Morinë por është pikasur nga polici, e cila po kryente një operacion për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pasi u ka bërë shenjë për të ndaluar, shtetasit sirianë nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.  Më pas sirianët kanë zbritur nga furgoni dhe ndjekja nga policia është bërë në këmbë, nga ku edhe është qëlluar. I riu sirian ka mbetur i plagosur në pjesën e brinjëve dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Janë ndaluar dhe po merren në pyetje shtetasit e tjerë sirianë, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia. Prokuroria, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po hetojnë nëse ka pasur shkelje nga ana e efektivëve të Kukësit në lidhje me rastin.