U përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit, 16-vjeçari pëson vdekje klinike. Aktualisht ai ndodhet në gjendje të rëndë te Trauma. I mituri me inicialet K.XH., u soll me helikopter në Tiranë ditën e djeshme pas aksidentit në Jug.

I plagosur nga manovrat e rrezikshme me mjetin lundrues mbeti dhe një tjetër shok i viktimës, 17-vjeçari me inicialet D.K., por është jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet ka rezultuar se: Në Llaman, shtetasit me inicialet K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski. Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra–tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

NJOFTIMI I POLICISË

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur sot, në Llaman, ku aksidentalisht u dëmtua rëndë shtetasi K. Xh., 16 vjeç, nga Tirana dhe u dëmtua lehtë shoku i tij shtetasi D. K., 17 vjeç, po nga Tirana, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasin U. K., 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.