Ka ndërruar jetë poeti i njohur Arben Duka mëngjesin e sotëm. Lajmin e trishtë e jep kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa.

“Lamtumirë Arben Duka! Mirëmbeç Poet i pavdekshëm”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Mësohet Duka vuante nga një sëmundje e rëndë dhe sot u nda nga jeta në moshën 64 vjeçare.

Arben Duka lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë, si dhe bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974. Arben Duka dhjetra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar.

Arben Duka ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat E Kaso Kosës” në gazetën “Intervista” duke qënë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Arben Duka është më së shumti një poet lirik. Janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës. Ai është autor i tekstit të Hymnit të Policisë së Shtetit.

Për veprimtarinë e tij, Arben Duka është vlerësuar si “Nderi i Qarkut Gjirokastër”, “Nderi i Odries”, “Nderi i Lunxhërisë”, “Nderi i veteranëve të luftës” dhe “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.