Vitin e kaluar sipas denoncimit të saj, Alda Klosi, ish-shefe e kabinetit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, ra pre e grabitjes, ku pastruesja që kishte punësuar bashkë me djalin, Rozeta dhe Havier Dobi i grabitën në banesë 120 mijë euro dhe sende me vlerë. Nënë e bir u arrestuan dhe u sekestruan paratë e sendet me vlerë, ndërsa nisën hetime dhe për Klosin. Ndërkohë Alda Klosi tregoi me detaje versionin e saj të ngjarjes.
“Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë.
E kisha punësuar prej 5 vitesh. Ajo ka bërë masakër në hapjen e derës. Ka inskenuar një skemë llahatari.
Ka inskenuar vjedhjen. Banesa është hapur me çelës. Por ajo e inskenoi. Kishte inskenuar sikur ishte grabitje. Hedhur rrobat, shqyer dollapi.
Por ngaqë ishin bërë disa grabitje në banesa. Jam ndjerë shumë keq. Më ka lënë një shije shumë të keqe. Plus edhe momenti, situata e rënduar, kam xhaxhain duke vdekur. Ato kanë qenë lekë për kurimin e tij. Nuk më ka shkuar mendja te ky person. Kjo grua ka punuar në 20 shtëpi të tjera prej shumë vitesh. E kanë kapur kamerat. Unë erdha kastile nga Amerika me urgjencë. Erdha pardje, shkova në polici dhe bëra denoncimin. Policia bëri një punë të palodhur. Ky njeri përbën një rrezik publik. Sa shumë familje mund të jenë dëmtuar. Sepse ajo punonte në shumë banesa. Por me denoncimin që bëra i bëra një të mirë komunitetit.
Shuma që sot njoftoi policia se ka sekuestruar nuk ka lidhje me mua. Vetëm shuma e djeshme. (58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë). Ajo e ka pranuar vetë që i ka marrë. Madje shumën e kam të deklaruar. Se po të ishte e kundërta nuk e bëja denoncimin. Shuma tjetër që është zbuluar sot nga policia mund të jetë marrë në shtëpi të tjera.