Ashtu siç pritej, edhe raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit është ‘djegur’ pa asnjë emër.

Mbledhja e komisionit të Ligjeve ka zgjatur vetëm pak minuta, duke u ezauruar pa asnjë kandidaturë. Në të njëjtën mënyrë është mbyllur dhe seanca për kreun e shtetit në Kuvend.

Opozita nuk propozoi asnjë emër, pas prishjes së marrëveshjes me Partisë Socialiste. Javën e kaluar në takimin mes kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe atij të PD, Enkelejd Alibeaj, u duk sikur u arrit një marrëveshje në konferencën e kryetarëve të, ku ju la e drejta opozitës që në raundin e dytë dhe të tretë të propozonin emrat për kandidatin për president. Megjithatë kjo u hodh poshtë, kur Balla deklaroi se nuk do të jepte asnjë votë për kandidatët e opozitës.

Kujtojmë që dhe raundi i parë u ezaurua pa asnjë emër. Sipas Kushtetutës, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kuvendi zhvillon deri në pesë raunde. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.