Prokuroria ka lëshuar ditën e sotme 5 urdhër-arreste për punonjës IT, në Ministrinë e Brendshme dhe Debartamentin e Administratës Publike, nën akuzë për shpërdorim detyre.

Mësohet se punonjësit janë identifikuar si shtetait Rudia Llagami, Alketa Sulo, Altin Sallaku, Albi Gjeka dhe Igli Lubonja.

Sipas Prokurorisë, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë, lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

“Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.”- thuhet m tej në deklaratën e Prokurorisë.