Mbrëmjen e djeshme është arrestuar autori i plagosjes me thikë të babë e bir, Xhevdet dhe Albion Braushi në lagjen “Çole” të Vlorës.

Në pranga ka rënë 27 vjeçari Rildi Kocja i cili pas një konflikti me motive të dobëta ka sulmuar me thikë vjehrrin dhe kunatin e tij, duke i plagosur të dy.

Vetëm pas një ore kërkimesh nga policia, është bërë i mundur arrestimi i 27 vjeçarit. Gjendja e 61 vjeçarit, Xhevdet Braushi paraqitet e stabilizuar ndërsa djali i tij, Albion Braushi mësohet të jetë në gjendje kritike për jetën.

Banorët e zonës, deklaruan se i kishin gjetur babë e bir në trotuar dhe më pas i kishin dërguar në spital, duke theksuar se 30 vjeçari, kishte 10 plagë të shkaktuara nga goditja me thikë në trup.

Në vendngjarje në cilësinë e provës materiale, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 mjete prerëse thika.