Partnerja e Edmond Haxhias ka dëshmuar se takimet me grupin britanik që akuzohen se jnë angazhuar në vrasjen e Ardian Nikulajt, janë zhvilluar në shtëpinë e të fejuarit të saj. Gazetarja Aida Topalli, tregoi pjesë nga dëshmia e të fejuarës së Edmond Haxhias që dekonspiroi vrasësit e Ardian Nikulaj. Ajo tha se vajza është marrë në pyetje nga policia dhe ka treguar takimet zhvilloheshin në shtëpinë e Edmond Haxhisë në Kakarriq të Lezhës.
“Bëhet fjalë për të fejuarën zyrtare të Edmnond Haxhisë. Ajo ka dhënë detaje mjaft të rëndësishme, ka konfirmuar për shtetasin portugez, duke thënë që e ka takuar në shtëpinë e të fejuarit në Kakarriq, kanë shkuar në Shkodër së bashku, kanë shkuar në Tiranë së bashku ku dhe kanë blerë motorin e përdorur në krim. Ka konfirmuar edhe fytyrat e shtetasve britanikë, por ajo kryesisht ka konfirmuar vrasësin”, tha gazetarja në Euronews.
Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman të akuzuar si bashkëpunëtorë e informatorë në lidhje me vrasjen janë vënë në pranga në Londër dhe brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe për të bërë të mundur ekstradimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva dhe Harry Simson.
Vrasja u zbardh vetëm një javë pasi ndodhi. Edmond Haxhia akuzohet se solli në Tiranë 4 britanikët e portugezin për të mbyllur hesapet e gjakmarrjes që kishte të hapura me fisin Nikulja, që nga viti 1997. Haxhia është kushëri me vëllezërit Lestakaj që jetojnë në Londër dhe akuzonin Nikulajn se u kishte vrarë xhaxhain dhe nipin.