Ervis Martinaj rezulton i zhdukur prej 6 muajsh, teksa në javët e fundit policia është hedhur në aksion për gjetjen e tij.
Në datë 26 dhjetor 2022, policia blindoi Fushë-Kuqen për rreth katër orë. Në një njoftim zyrtar policia sqaroi se mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e Ervis Martinajt dhe xhaxhallarève të tij, Faik Martinaj dhe Ragip Martinaj.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Nga ana tjetër, sot Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë bastisur vilat e tij në zonën e Surrelit, në Tiranë. Ende nuk dihet çfarë është gjetur, teksa pritet njoftimi zyrar i policisë.
Sipas burimeve nga uniformat blu, këto aksione janë ndërmarrë në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pas të cilit u arrestua dhe Nuredin Dumani, tashmë i penduari i drejtësisë, ai që nxori dhe emrin e Martinajt, si porositësi i vrasjes së Endrit Dokles.
Nuk dihet nëse policia ka pasur informacione për lëvizje të mundshme të “Mbretit të lojërave të fatit”, i cili nuk dihet nëse është i gjallë.
Thelbësor për zgjidhjen e misterit Martinaj mbetet dhe Jeton Lami, ish-agjenti i Operacionales, i cili ishte i fundit që e ka takuar atë, para zhdukjes.