Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje në lidhje me ato që mund të ruajë ‘defteri’ i të zhdukurit të shumëkërkuar, Ervis Martinaj. Ndërsa ishte ftuar në një emision televiziv, Hoxha tha se Martinaj sponsorizonte shumë njerëz, jo vetëm biznese, por edhe në fushën sociale e të kulturës.
Ai shtoi më tej se Martinaj ka sponsorizuar romane, shkrimtarë dhe studime mbi traditën e kulturën shqiptare.
“Kishte sponsorizuar shkrimtarë, media, romane, studime mbi traditën dhe kulturën shqiptare. Po të hapet ndonjëherë ai defteri, nëse hapet ndonjë ditë. Nëse hapet ndonjëherë libri i tij i llogarisë, ato që kanë nxjerrë hakerat iranianë do të duken lodra kalamajsh. Po të hapen ndonjëherë, unë kot kam parë një libër të një tjetër operatori të lojërave të fatit, një të vogël që i kërkova të ma jepte, s’jeton më ai i shkreti. Po të them që historia e Shqipërisë në këto 30 vite nuk është ajo që dimë ne,”- tha Hoxha ndër të tjera.
Sot, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj.
Fushëkuqja e Kurbinit, zona ku dhe jeton familja e Martinajt ishte e rrethuar për pesë orë gjatë ditës së sotme. Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndodnjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur.