Prokuroria ka lëshuar 5 urdhër  arreste ditën e sotme, në lidhje me hetimet për sulmet kibernetike nga Irani, në vendin tonë.

Urdhër arrestet janë lëshuar në lidhje me sulmin kibernetik të ndodhur në muajin korrik, ku hakerat të cilët operojnë nëpërmjet faqes “Homeland Justice” arritën të hynin në sistemin e faqeve qeveritare si dhe në e-Albania, duke vjedhur një sërë të dhënash sensitive. Mësohet se urdhër arrestet janë lëshuar për punonjës të ministrisë së brendshme që kanë pasur akses në këto sisteme, nën akuzën “Shpërdorim detyre”. 

Deri më tani, nga hakerat janë bërë publike pagat e qytetarëve shqiptarë, targat e makinave, numrat e telefonit si dhe numrat e patentave. Po ashtu janë publikuar të dhëna sensitive nga policia e shtetit, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe nga Kryeministri.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Adminiatratës Publike (DAP).

Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t. Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Prokuroria njofton se, në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

A.I. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

A.S. – Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

R.Ll. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

I.L. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

A.Gj. – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.