Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për median greke “ERT”, në lidhje me çështjen “Beleri”.

Rama ka deklaruar se është ende duke e studiuar rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ndërsa u shpreh se do donte që vendimi për të, të dilten ga drejtësia, e jo nga presioni i Greqisë.

“Ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm”- tha Rama.