Mediat zvicerane bëjnë me dije se policia ka sekuestruar 2 milionë dollarë amerikanë false dhe 240 kilogramë marijuanë në një bazë në Urdorf. Sipas policisë, një pjesë e madhe e parave false të printuara ndër vite, ishin sjellë në Shqipëri.

Për këtë aktivitet janë arrestuar dy shtetas, një shqiptar dhe një zviceran, të cilët janë kapur në flagrancë duke punuar në printimin e kartëmonedhave 50 dollarëshe false. Zvicerani i arrestuar kishte precedentë të ngjashëm edhe në Kosovë, në vitin 2012.

Policët gjetën edhe një lloj pjalmuesi, tek i cili mund të merren kristalet e rrëshirës nga sythat e vegjël të luleve të kërpit. Këto lëndë mund të përpunohen dhe të kthehen në marijuanë. Fillimisht policia kontrolloi shtëpinë e kthyer në punishte pikërisht për këtë dyshim.

Si përfundim ata gjetën 240 kilogramë marijuanë me vlerë 1 milionë franga zvicerane, 600 kilogramë kërp legal CBD, teksa surpriza ishte te dy të arrestuarit, që po printonin kartëmonedha . Sipas policisë, në një paletë ruheshin kartëmonedha gjysmë të gatshme.

Dy të arrestuarit janë të moshës 48 (Enes S.) dhe 70 vjeç (Loris G.). Ata ndodhen në paraburgim që nga bastisja e një muaji më parë. Gjithsesi, policia nuk mendon se ata janë përgjegjësit e vetëm të gjithë atij aktiviteti. Po hetohet në një rreth më të gjerë, për të zbuluar “peshkun” e madh.