Fredi Beleri nuk u lejua nga Gjykata e Posaçme të linte qelinë, me qëllim që të betohej ditën e nesërme para këshillit bashkiak, si kryetari i ri i bashkisë Himarë.

Teksa tashmë na ndajnë vetëm disa orë nga ceremonia që ishte planifikaur të mbahej ditën e nesërme në orën 11:00, Beleri tani ka edhe pak mundësi për të marrë një leje të posaçme.

Ai ka dërguar kërkesë në Gjykatën e Apelit dhe atë të Lartë, e po ashtu në Drejtorinë e Burgjeve, por gjithsesi shpresat nuk janë të mëdha.

Por çfarë ndodh nëse Fredi Beleri nuk arrin të betohet për detyrën e re?

Versioni më i mundshëm është që në Himarë të shkohet përpara me një Këshill Bashkiak të ri dhe një kryebashkiak të vjetër, që është ai i PS, Jorgo Goro, i cili do mbajë detyrën deri në momentin që do të betohet Beleri. Ligji nuk parashikon asnjë afat për kryebashkiakët, ndaj opsioni i mësipërm duket më i mundshëm.

Ndërkohë, në një skenar tjetër, Himara do shkonte në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse Edi Rama shkarkon Belrin, ose Apeli e dënon për akuzat e blerjes së votave.