Gjykata e Lartë rrëzoi sot rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.

Vendimi i mospranimit të rekursit është marrë në dhomë këshillimi, me relatore Albana Boksin, si dhe me gjyqtarët Ilir Panda dhe Sokol Binaj, anëtarët e tjerë të trupit gjykues.

Ku vendim fundor, pas vendimit të Apelit të GJKKO-së për të rihapur çështjen ‘Gërdeci’ SPAK rinisi hetimet, pritet që të nisë pyetja e personave që kanë dijeni për rrethanat.

Personave të parë që u është nisur fletë-thirrje janë trashëgimtarët e viktimave dhe personat e dëmtuar nga “Gërdeci”. Në pyetje do të rimerren edhe ish zyrtarë të lartë që kanë qenë në detyrë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. Zyrtari i parë që do ripyetet është ish-ministri mbrojtjes Fatmir Mediu.

Ish-ministri Mediu nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Shkelje u konsiderua sipas mbrojtjes dhe fakti se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.

Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda.

Pas 13 vitesh nga tragjedia, familjeve të viktima iu rikthye shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.