Nëna e Lear Kurtit, Fatmira Mustafaj, vijon ende të mos e besojë mënyrën se si u largua nga jeta djali i saj.

Muaj më parë, Kurti, vdiq papritur teksa gjëmohej me vrap nga uniformat blu në zonën e Don Boskos.

Duke folur për Shqipëria Live në Top Channel, nëna e tij, kërkon drejtësi pasi sipas saj Leari nuk e meritonte të largohej ashtu nga jeta.

“Më ka mbetur vetëm një fjalë që ai ka ikur nga duart e atyre, po t’i jepej ndihma e shpejtë ndoshta sot do ishte gjallë. Nuk e imagjinoja dot këtë fund për djalin tim. Kam pasur një djalë shumë të shëndetshëm, dhe me kurajo, më jepte dhe mua kurajo, ishte i fortë, se unë jam e dobët se ashtu e kam pasur jetën. Shkoj e ngushëllohem çdo ditë te varri.

Jam tmerruar kur e pashë atje, kishte mavijosje në fytyrë. I pashë dhe një hematomë. Djali im ka ikur i tmerruar nga uniformat blu. Shumë e habitshme. Drejtësinë e di që s’do e gjej kurrë. Por uroj të vihet drejtësi se sot më ndodhi mua, një herë tjetër mund t’i ndodhë dikujt tjetër. Djali im nuk ishte Escobar që e gjëmuan gjithë ato patrulla në atë mënyrë.

Ndaj të rinjve policia është shumë harbute. Pse nuk ia dhanë ndihmën e parë djalit? Pse e çuan në rajon. Mavija në fytyrë që i pashë unë do i kenë rënë me grusht. Djali im ka qenë i shëndetshëm dhe në pak minuta vdiq. Pse? Nga se?,” tha Mustafaj.