Policia e Shkodrës ka arrestuar shoferen e mjetit tip “Porsche”, e cila humbi kontrollin e mjetit dhe u përfshi në një aksident ditën e shtunë 20 maj.
Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosura dy mikeshat që udhëtonin me 20-vjeçaren që tashmë është vendosur në prangat e Policisë së Shtetit. Ndërkohë që mikeshat e saj, ndodhen duke marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Traumës.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 20.05.2023, për një aksident në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë”, në fshatin Melgushë, ju bëjmë me dije se specialistët për Trafikun Interurban dhe Urban të DVP Shkodër arrestuan shtetasen R. P., 20 vjeçe, banuese në fshatin Mali i Jushit, Vau i Dejës, pasi duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.
Nga ky aksident kanë mbetur të dëmtuara pasagjeret në këtë automjet, shtetasja D. N. dhe shtetasja ukrainase I. K., të cilat marrin asistencë më të specializuar mjekësore, në Spitalin e Traumës, Tiranë,”-njoftimi i Policisë.