Personi që shihni në foto është Ali Mostashari, 70-vjeçari i cili mbeti viktimë gjatë përplasjes së sotme mes opozitës iraniane dhe policisë. 

Pas pothuajse 4 orësh përplasje me policinë, iranianët kanë mbyllur protestën, e gjithë rrëmuja u shkaktua pas një urdhër të SPAK për të zbarkuar në kampin e MEK në Manzë.

Me foton e të ndjerit në duar kanë dalë në kangjellat e derës së rrethimit të kampit të MEK në Manëz, ndërsa premtojnë se do të kërkojnë drejtësi për zhvillimet e paradites së sotme.

Ditën e sotme, për rreth 4 orë forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshire edhe forcat RENEA zbarkuan për herë të parë në kampin e MEK në Manzë të Durrësit, ku janë të strehuar anëtarë të opozitës iraniane.

Operacioni është kryer me urdhër të GJKKO pas kërkesës së SPAK, ndërsa forcat e policisë shqiptare janë hasur edhe me rezistencën e iranianëve brenda në kamp. Urdhrin për kontrolle e ka lëshuar GJKKO, pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike.