Një arsenal armësh është gjetur nga policia gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj në zonën e Fushë-Kuqes.
Në njoftimin zyrtar për mediat, policia bëri me dije se nga kontrollet e ushtruara gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri automatike, 1 silenciator, 7 mijë fishekë luftarakë, 85 predha eksplozive dhe 1 thikë bajonetë. Gjithashtu janë gjetur edhe disa materiale dhe veshje policie si uniforma, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radiomarrëse dhe fenelina policie.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, të gjitha këto municione dhe materiale ishin të fshehura në një koshere bletësh. Ndërsa bëhet me dije se nga kontrollet nuk janë gjetur vlera monetare.