50-vjeçari Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës u ekzekutua mëngjesin e sotëm në Bradashesh të Elbasanit. Ai u vra përpara lokali teksa po shkonte në punë në orën 5 e 45 të mëngjesit.
Pak orë pas ngjarjes policia gjeti një makinë të djegur në fshatin Murash të Elbasanit. Për kapjen e autorëve policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit.
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion.