Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Borizanë të Krujës, në një gurore. Nga pamjet e siguruara shihet se dy persona nga fisi Maja të cilët ishin të ulur në një lokal, janë sulmuar me sende të forta nga anëtarë të fisit Rraja. Nga fotot, shihet se Rrajat me shkopinj bejsbolli kanë dhunuar dy persona nga fisi Maja.
Janë të paktën 10 persona që sulmojnë dy “shënjestrat” duke i sharë dhe rënë pa pushim me shkopinj në trup e kokë. Njëri prej ‘viktimave’, i cili ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në spital. Mësohet se autorët e sulmit i vihen pas, deri sa një prej tyre bie në tokë.
Sherri ka ndodhur për një gurore, në pronësi të Rrajave. Anëtarë të fisit Maja janë ankuar dhe kanë denoncuar në polici për tronditjet që u japin shpërthimet dhe dëme në banesa. Kjo ka sjellë dhe “përgjigjen” e Rrajave. Për ngjarjen policia ka shoqëruar dy persona.
Bëhet me dije se Xhelal Rraja, vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja i cili është një nga personat e përfshirë në konflikt është edhe administratori i një guroreje.
Jashar Maja dhe Bilbil Maja janë dërguar në spital për shkak të dhunës, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë te Trauma.
NJOFTIMI I POLICISË
Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr.
Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.