Pas retorikës diskriminuese të sekretares së Punëve të Brendshme Suela Braverman ndaj shqiptarëve në Angli, ku mes të tjerash tha se janë kriminelë dhe propozoi që të dërgohen në Ruandë, këta të fundit janë ngritur sot në protestë.

Me flamuj shqiptarë në krahë, muzikë popullore dhe pankarta në duar, ata dërgojnë mesazhin se “janë shqiptarë, punojnë e paguajnë taksa”.

Deklarata e Breverman për një “pushtim” nga shqiptarët, u amplifikua nga mediat në Angli, ato të cilat kanë politikë editoriale kundra emigrantëve.

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli, kanë akuzuar qeverinë se po përdoren për të justifikuar politikën “e dështuar” të emigracionit në Britani si dhe kritikuan Ministrinë e Brendshme se ata po ndikonin në sigurinë e vendit.

Daily Mail i ka kushtuar një artikull reagimeve të tyre, ku shqiptarët shprehen se kanë ardhur në Britani për një jetë më të mirë dhe se është e papranueshme që të etiketohen si “banditë apo hajdutë”.

Kryeministri Rama gjatë një interviste të dhënë ditën e djeshme për Sky News, ka deklaruar se po pret që qeveria britanike të kërkojë falje për deklaratat e bëra nga sekretarja Braverman.

Sipas kryeministrit Rama, deklaratat e sekretares së Brendshme Britanike, janë bërë për qëllime elektorale.

“Në politikat e ditëve të sotme nganjëherë këto gjëra mund të ndodhin, por ajo që më shqetëson më shumë është se nuk kërkohet falje. Është një mënyrë e ekzagjeruar e të shprehurit. Kjo është ajo që më shqetëson. Kjo do të thotë se ka një kalkulim, ku ti vërtetë po flet për disa votues, që të dëgjojnë atë, pasi ti do votën e tyre”, tha  Rama.