Gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, ishte në lidhje live nga Mitrovica e Veriut me emisionin “Shqipëria Live”, kur pranë saj pati shpërthime.

Ajo u shpreh se ishin mjete piroteknike që u hodhën, por ishte e vështirë të shikohej se kush e hodhi.

Leonita Bajrami konfirmoi se ajo dhe operatori janë mirë dhe u zhvendosën nga vendi i ngjarjes.

Ndërkoh kujtojmë se në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Kërshi i Dudës. Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike. Në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Nderkohë , barrikada e vendosur te Kërshi i Dudës nuk lejon  lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.

Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugët  që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.