Zamira Durda është tejet e zhgënjyer nga vendimi i gjykatës që mbylli çështjen Mediun për tragjedinë e Gërdecit dhe se paralajmëron, ashtu si edhe i biri, Geraldo Durda, se “gjaku nuk falet”.
Për emisionin “Breaking”në Top News, Zamira Durda komentoi deklaratën e të birit Geraldo Durda, që theksonte se “Eri, gjaku jot s’do bëhet kurrë ujë”, duke nënkuptuar dhe ndonjë vetgjyqësi.
“Reagimi i djalit tim, ndoshta mund të ketë qenë i momenteve të para, pas njohjes së vendimit të Gjykatës për çështjen Mediu, por ai thotë se ne do t’i shkojmë në fund gjëra, duke ndjekur të gjitha betejat ligjore, duke shkuar deri në Gjykatën e Strasburgut. Gjithsesi duhet ta kuptojnë të gjithë se gjaku nuk falet”, shprehet Durda në emisionin “Breaking”.
Ajo thekson se me këtë vendim të marrë që nuk i hapë rrugë hetimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu besimi te drejtësia është lëkundur dhe se betejën e saj do ta vijojë akoma më tej.
“Nuk ndalem, do t’i drejtohem Strasburgut. Kodi Procedurës thotë se vendimi do të mbyllet në një dhomë këshillimi në një gjyqtar i vetëm, duhet të jenë pesë ose tre, nuk e di se më kë është këshilluar gjyqtari, se ka qenë vetëm”, theksoi Durda.
Më tej ajo shtoi se “Nëse drejtësia e mbyll ne një jetë kemi. Për moralin e atij fëmije unë jam betuar para arkivolit dhe është motivi i jetës time është vendosja e drejtësisë për tragjedinë eGërdecit”.
Një ditë më parë gjyqtari Erjon Çela i GJKKO-së vendosi që të mos nisej hetim ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu mbi padinë e paraqitur nga SPAK. Sipas vendimit të marrë, vepra është parashkruar dhe se prokuroria kishte kohë 10 vite për të ngritur një padi ndaj Mediut.