Rrëzohet kërkesa e Shqipërisë për përjashtimin e gjyqtarit zviceran Charles Poncet nga çështja ‘Beçhetti’. Ky vendim vjen nën argumentin se gjyqtari zviceran është i vetmi anëtar i gjykatës, i cili është i disponueshëm për të qënë i pranishëm në seancën dëgjimore në Arbitrazhin e Bankës Botërore.

Pala shqiptare iu drejtua Arbitrazhit për rishikimin e gjobës prej 110 milionë euro të vendosur për çështjen ‘Becchetti’. Në 28 tetor të këtij viti, Shqipëria kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Poncet nga seanca dëgjimore, edhe pse ishte në dijeni se përzgjedhja e Poncetit u bë për arsye se dy gjyqtarë të tjerë të Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Investimeve nuk u përzgjodhën pasi nuk ishin të disponueshëm për të marrë në shqyrtim kërkesën.

Me këtë vendim tashmë gjyqtari zviceran do të marrë pjesë në shqyrtimin e kërkesës, ku pala shqiptare kërkon rishikim të gjobës 110 milionë euro, duke paraqitur prova të reja.

Një ndër provat e përfshira është edhe dënimi i Becchettit me 17 vite burg, caktuar nga drejtësia shqiptare, ku mes akuzave është edhe ajo e një skeme mashtrimi me TVSH.