TIRANË – Gjyqtari i antimafias italiane, Pietro Grasso, ka bërë sot një rrëfim të rrallë në emisionin “Zona Zero” në Top News.

Gjyqtari pjesë e trupës që shkaterroi “Cosa Nostra-n” dhe mbylli në burg Toto Riinan, tha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin Thimi Samarxhiu, se tashmë mafia ka ndryshuar krejtësisht strategji.

Grasso tha se grupi që dominon në Itali për trafikun e kokainës, aktualisht është Ndraghetta. Gjithsesi, shtoi gjyqtari i famshëm, jo më larg qendron edhe Camorra apo Sacra Corona Unita.

Pietro Grasso thotë se mafia po bëhet gjithnjë e më e padukshme, ndërsa shumë nga bosët e krimit i janë futur edhe biznesit.

“Ishte një mafia që vinte nga një lufte brenda grupeve mafioze. U ristrukturua plotësisht. Të gjithë ata që ishin përgjegjës u dënuan me burg përjetë (Cosa Nostra). Disa vdiqen në burg, disa të tjerë vazhdojnë të vuajnë dënimin. Ka ngelur vetëm një person pa arrestuar. Mafia sot po zbaton një strategji tjetër. Atë të fshehjes. Nuk bëhen më akte të dukshme, vrasje të dukshme. Mafia bëhet e padukshme. Kjo bën që të ngadalësohen hetimet në këtë mënyrë.

Mafia sot merret më shumë me biznes. Tenton të depërtojë në ekonominë e ligjshme. Madje po futen edhe në tendera publikë, në administratën publike. Nuk mendojmë vetëm për Cosa Nostra-n, sot Ndraghetta është në vendin e parë për trafikun e kokainës. Më pas vjen Camorra, Sacra Corona Unita”

Strategjia e re e mafias, sipas gjyqtarit, ka sjellë një ekonomi të droguar, që po e dëmton fort ekonominë e ligjshme.

“Sot kemi një fytyrë krejt tjetër të mafias. Tashmë mafia është në kontakt me jakat e bardha. Sipërmarrja mafioze, nuk ka më problem as me sindikatat. Punëtorët paguhen me paga më të ulëta dhe nuk kanë përparësitë e mbrojtjes në punë. Kemi të bëjmë me një ekonomi të droguar, që dëmton ekonominë e ligjshme”, tha ai për Top News.

Pietro Grasso ka një kontribut të jashtëzakonshëm në drejtësinë italiane, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, ku kulmin e njohu gjatë bashkëpunimit të tij me gjyqtarin Xhovani Falkone në vitin 1991.

Nga janari 1993 Pietro Grasso ka qënë pjesë e Prokurorisë Kombëtare Antimafia të Krimeve të Rënda, ku ka bashkëpunuar me prokurinë e Palermos për kapjen e disa eksponentëve kryesore të Cosa Nostra-s; ndërsa në gusht 1999 ka drejtuar Prokurorinë e Palermos.

Nën drejtimin e tij janë ekzekutuar 1779 urdhër-arreste për krime të rënda mafioze. /Gazeta SHQIP