Autoritetet greke kanë refuzuar ditën e sotme ekstradimin e Lulzim Cakës, i njohur si i “tmerrshmi” i Beratit.
Lulzim Caka, një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës u dënua me 25 vite burg, por në vitin 2019 ai fitoi lirinë.
Ai ishte dënuar në dhjetor të vitit 2012, kur Gjykata e Apelit në Vlorë la në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Fierit. Ngjarja për të cilën u dënua, ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, kur Caka u ka bërë rezistencë forcave të Policisë.
Në atë kohë, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal. Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e Policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, të vrarë në një atentat më vonë, rrethuan Lul Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij.
Por, të armatosur me kallashnikov, ata i bëjnë për rreth gjysmë ore qëndresë Policisë.
“Unë në ’97-ën nuk jam aktivizuar me bandat, ashtu siç kam lexuar nëpër gazeta. Unë kam pasur një djalë tezeje, Bujar Sulën ose, siç njihej atëherë, Losh Karbunara, që ka qenë një djalë i shkathët”, tregonte Caka në një intervistë të dhënë nga burgu në vitin 2008.
Motivi për vrasjen e fundit, për të cilën u akuzua Lul Caka, është supozuar hakmarrja, e cila, sipas Policisë, ka nisur qëkur një vëlla i tij mbeti i vrarë nga rivalët e vëllezërve Caka, të identifikuar si fisi i çamëve të Fierit.
Më pas, vdes dhe i ati i tyre, shkak për vdekjen e së cilit u bë hidhërimi nga humbja e të birit. Ngjarja më e dhimbshme ndodh më 1 korrik të vitit 1999, kur e ëma e Lul Cakës, Xhevria, vritet në mënyrë tragjike. Fill pasi e kishte takuar Lulin në burgun e Fierit, ajo rrëmbehet nga disa persona, të cilët kaluan rrëmbimthi me makinë. Më pas ajo gjendet e masakruar në periferi të qytetit.
Konflikti hakmarrës mes fiseve Çala dhe Yzeiri, që deri tani ka marrë më shumë se 10 jetë njerëzish, ka nisur pas përfundimit tragjik të historisë së dashurisë mes dy të rinjve. Më 9 maj të vitit 1997, djali i vogël i Çalëve, Bedriu, ekzekutoi me 5 plumba pranë gardhit të tij, një prej djemve të fisit Yzeiri, 28-vjeçarin Lefter, pasi mendoi se ai kishte lidhje për qëllime jo të ndershme me të motrën. Në gjaknxehtësi e sipër Bedriu vrau edhe motrën e tij 21- vjeçare, e cila së bashku me të ëmën i bërtitën atij për krimin e kryer. Duket, me gjithë përpjekjet për të falur gjakun, babai i viktimës, Nezir Yzeiri, nuk e pranoi një gjë të tillë. Që nga kjo ditë dy fiset u ngujuan në shtëpi dhe i ruheshin njëri-tjetrit. Por, në këtë hasmëri u përfshi edhe Lul Caka, si një mik i vjetër i fisit Çala.