Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe ka sqaruar qëndrimin e tij dhe të institucionit që ai drejton në lidhje me hakerimet nga iranianët dhe të dhënat e rëndësishme, të cilat po publikohen.
Kujtojmë që mbrëmjen e djeshme, hakerat publikuan edhe një listë me të dhënat e qytetarëve për patentat.
“Ne DPSHTRR, AKSHI dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi në monitorim çdo gjë”, tha drejtori i DPSHTRR.
Pjesë nga fjala e Blendi Gonxhes:
“DPSHTRR për sa i takon, gjykon se të dhënat në fjalë nuk janë marrë nga sistemi eDM. Që pas sulmit kibernetik që ndodhi nga iranianët në Korrik, ne si ent, AKSHI dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi cdo gjë në monitorim 24/7. Nga analiza forensic nuk janë konstatuar rrjedhje të dhënash nga sistemet tona apo penetrime.
Nuk them dot të njëjtën gjë për sulmin e ndodhur në Shtator në të dhënat e Policisë së Shtetit, ndonëse ishte sulm nga të njëjtët armiq, por në dijeninë time totalisht i pavarur duke qenë se infrastrukturat, rrjetet janë komplet më vete.
Lista në fjalë mund të ketë lidhje me sulmin e dytë, nga natyra e të dhënave të dala, për aq sa janë publikuar!
U takon gjithësesi organeve kompetente të hetojnë për burimin/et apo hyrjet dhe vulnerabilitetet në ato sisteme (përfshirë ato private) ku mund të jenë marrë këto të dhëna!”, ka deklaruar Gonxhe.