Kryeministri Edi Rama ka pritur në ambientet e kryeministrisë një grup artistësh, aktorë dhe njerëz të njohur për publikun, tashmë në moshë të thyer, ku edhe ka darkuar me ta. Vetë Rama njofton se mbrëmja e veçantë me “një grup pensionistësh”, i ka bërë bashkë, ndërsa në fotoalbum shihen disa nga mysafirët e përzgjedhur.
Pritja është bërë nga bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama ndërsa nuk kanë munguar as ministret Elva Margariti, Elisa Spiropali dhe Evis Kushi. Në darkën e shtruar nga Rama shihen aktorët Ndriçim Xhepa, Viktor Zhusti, Birçe Hasko, Pali Kuke, këngëtarja Myfarete Lazaj si dhe gruaja e shkrimtarit Ismail Kadare, Helena. Një moment interesant është kur njëri prej tyre e ka puthur Ramën në ballë. Bëhet fjalë për kompozitorin Enver Shengjergji. Edhe pse me patericë, kryeministri është përkulur dhe ai e ka puthur atë në ballë.
“Një mbrëmje e veçantë me një grup pensionistësh të veçantë, kontribues të veçantë në jetën kulturore, arsimore e sportive të vendit, ndaj të cilëve borxhi i veçantë do të jetë gjithnjë i pashlyeshëm”,-shkruan Rama.