Përmes një interviste të shkruar nga qelia e burgut “Ali Demi” në Tiranë, blogerja ruse e akuzuar për spiunazh nga prokuroria shqiptare rrëfen arrestimin në Gramsh, qëndrimin në izolim dhe frikën nga një ekstradim i mundshëm në Rusinë e Putinit.

Svetlana Timofeeva kishte vizituar me qindra godina të rrënuara, por nuk ishte përballur ndonjëherë me akuza spiunazhi përpara vizitës së saj në Shqipëri në gusht të vitit 2022. E njohur me emrin Lana Sator në rrjetet sociale, bogerja ruse e gjeti papritur veten në qendër të një lajmi që bëri xhiron e botës.

“Unë besoj se historia jonë u transformua në një thriller spiunësh nga gazetarët,” thotë Timofeeva në një intervistë me shkrim nga qelia e saj në burgun “Ali Demi” në Tiranë. “Dhe ishte lënduese,” shton ajo.

Timofeeva, 34 vjeç, u arrestua më 20 gusht 2022 së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh. Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.

Intervista me Timofeevan u realizua me shkrim, pasi një kërkese e BIRN për ta vizituar atë në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi” në Tiranë, u refuzua nga autoritetet. Me letra të shkëmbyera përmes avokatëve, Timofeeva tregon për herë të parë se çfarë ndodhi në fund të gushtit në Gramsh, se si i ka përjetuar thuajse tetë muajt e kaluar në qeli dhe çfarë mendon ajo për akuzat dhe procesin në Shqipëri.

Timofeeva pretendon se nuk e di me saktësi se çfarë ndodhi mes Zorin dhe rojeve të uzinës, pasi në momentin e incidentit ajo ndodhej me disa adoleshentë vendas, të cilët po e ndihmonin që të lidhej me internetin. Ajo nuk po gjente makinën dhe pasi u lidh me Alpatov, ai u kthye ta merrte.

Policia i ndaloi të dy në makinën sportive në ngjyrë portokalli, ndërsa ndodheshin në afërsi të Cërrikut. Timofeeva thotë se sendet që ndodheshin në makinë i shtuan dyshimet. “Të gjitha këto gjëra dukeshin të tmerrshme sëbashku; makinë luksoze, biçikleta, skuteri, dy dronë, tre kamera, tenda dhe dyshekët e gjumit, pastaj Mikhail kishte syze për të parë natën [një gjë e ligjshme që mund ta blesh në çdo dyqan me mallra për gjueti] dhe Fedir kishte më shumë se një celular, një laptop dhe një hard disk me fotot nga shumë vende që ai kishte vizituar,” shkruan ajo.

Ata qëndruan për më shumë se 20 orë në komisiariatin e Elbasanit, ku një grup prej 5-6 burrash i morën në pyetje në gjuhën angleze. “Ata ishin të pasjellshëm,” shkruan ajo – ndërsa kujton se përgjigjet e saj i quanin “budallallëqe”.

Timofeeva pretendon se një përkthyes i gjuhës ruse mbërriti në komisariat pas seancës së pyetjeve dhe se ajo nënshkroi një procesverbal “me shumë gabime”. Ndaj treshes u ngritën tre akuza; por vepra penale e “sigurimit të informatave sekrete me karakter ushtarak, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj” ishte më e rënda – ajo parashikon dënime nga 3 deri në 10 vjet burg.

Blogerja ruse i konsideron akuzat “një keqkuptim” dhe beson se në një mënyrë apo një tjetër, ngjarja do të sqarohet. Por Timofeeva nuk është e kënaqur me zgjatjen pafund të hetimeve. Ajo thotë se prokuroria kishte kohë për 3 muaj që të hetonte dhe verifikonte pajisjet që ata kishin, por i ka zgjatur dy herë të tjera hetimet, me pretendimin se ata kishin “miliona gigabytes”.