Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin kundër Izet Haxhisë, i akuzuar për vrasjen e ish-liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari.

Sipas vendimit më të fundit ai është dënuar me 21 vite burgim. “1.Deklarimin fajtor te te pandehuri Izet I. Haxhia per kryerjen e vepres penale te “Vrasje me paramendim” e kryer ne bashkepunim dhe ne baze te nenit 78/2 e 25 te K.Penal dënimin e tij me 21 (njëzet e një) vite burgjm.

2.Vuajtja e dënimit të kryhet në një burg të sigurise se zakonshëm.

3. Në kohen e vuajtjes së dënimit te llogaritet koha e qëndrimit të tij në arrest ne burg si dhe duke vuajtur dënimin. U shpall në Tiranë në daten 11.02.2022″, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Haxhia iu dorëzua katër vitë më parë drejtësisë shqiptare duke ndejtur deri më tani në paraburgim deri në përfundimin e dënimit, periudhë e cila do të llogaritet në periudhën e vuajtjes së dënimit. Ai u ekstradua nga Turqia, ndërsa ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Azem Hajdari, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ai zbriti më datë 8 maj 2018 në aeroportin e Rinasit pasi ishte dorëzuar te autoritetet turke me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Pasi zbriti nga avioni, në aeroport atë e prisnin punonjës të policisë së Tiranës, të Interpol, dhe një grup i gatshëm i burgjeve, i cili bëri edhe shoqërimin e tij në ambientet e burgut 302.

Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke, ndërsa lajmin e njoftoi përmes faqes në Facebook. Pak ditë më pas ai zgjodhi në Shqipëri avokatin Fran Dashi. Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të 2018 befas u mor vendimi që ai të ekstradohet. Izet Haxhia ishte dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë. Pas ardhjes së tij në Shqipëri, ai kërkoi rigjykim dhe rihapjen e dosjes “Hajdari”, por edhe pas rishikimit të fakteve, gjykata e dënoi atë jo më me 25 vite, por me 21 vite burg.