Jeton Lami, agjenti i njësisë “Fast” i arrestuar për dhënie ndihme ndaj të kërkuarit Ervis Martinaj, (i cili përflitet se ishte i infiltruar nga Policia) është shfaqur në skenën e një ngjarjeje tjetër. Sipas burimeve të “oranews”, oficeri rezulton se ka transportuar tre personat e vrarë më 17 korrik në Krujë mes të cilëve edhe Brilant Martinaj, i afërm i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Për këtë ngjarje, pritet që hetuesit të marrin sërish në pyetje oficerin e arrestuar.

Oficeri i skuadrës së kërkimit “Fast”, Jeton Lami, i arrestuar me akuzën se ka ndihmuar Ervis Martinajn në lëvizjet e tij teksa ishte person në kërkim del në pah edhe në ngjarjen 17 korrikut 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës ku u vranë tre persona.

Në këtë ngjarje humbën jetën Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata. Prokuroria ka zbuluar se oficeri Jeton Lami është personi që ka shërbyer si shofer dhe ka transportuar Brilant Martinajn dhe Diklen Vatën nga restorant “….” tek një servis në fshatin Larushk.

Nisur nga kjo indicie e re, policia dhe prokuroria e Krujës, po shikojnë mundësinë e marrjes në pyetje të Jeton Lamit për rolin e tij në ngjarjen ku mbetën të vrarë tre të rinjtë. Oficeri aktualisht ndodhet në burgun e Shën Kollit në Lezhë, ndërsa ditën e djeshme depozitoi ankimimin në gjykatë, duke kërkuar lirimin nga qelia.