Për herë të fundit emri i Bardhok Pllanajt u lakua në fund të 2020, si një person i shpallur në kërkim për sulmin me armë ndaj banesës të policit A. P. Por Pllanaj, qëndroi në kerkimin policor vetëm 12 ore. Ai u paraqit së bashku me tre të tjerët të kerkuar si ai , me alibinë në dore. Nuk kishte qenë në Shkoder, në çastet kur në drejtim të shtepisë të policit të Shqiponjave po zbrazej një karikator me fishekë. Kështu që ai shpëtoi paq dhe çështja për sulmin për shkak të detyrës ndaj policit, edhe sot e kësaj dite mbeti pa zbardhur.
Në të vërtetë polici i Shqiponjave, u përplas me Pllanajt për një gjobë. Në 15 dhjetor kur ai guxoi të vendoste një gjobë, përpara fytyres ju përplas portreti i një të paprekshmi. Pllanaj dikujt i thoshte më zë te lartë; çojeni ku të doni, hiqeni prej këtej nuk e dua këtë polic në Shkodër.
Ai i tregoi madje mesazhin ku njëri ndër shefat përgjërohej: nuk i kam qit unë policët të betohem që s’di gjë. Ky version tregohej ato ditë në policinë lokale, por mbeten vetëm fjalë. Nuk jam në gjendje të them zyrtarisht se çfarë ndodhi me policin, por me siguri duhet ta kenë zhvendosur në Akademine e Sigurisë për të studiuar pak më tepër.
Përplasja për gjoben ndodhi diçka mes datave 15 -16 dhjetor 2020. Sulmi me armë në datë 23 dhjetor. Por policia dhe prokuroria u gjet e papërgatitur të zbardhte nëse ky incident që i bëri policët e thjeshtë të dridhen në Shkoder, kishte lidhje me atentatin në shtepinë e të afërmëve të policit.
Policët u përpelitën nëpër tryeza duke fjalosur për kohët kur për të ruajtur policin zbritej në kryq, pasi siç thoshte njëri ndër ta, ai kishte qenë polic eqe me kohën e Kolonel Arben Zylyftarit, atëherë kur polici ruhej nga krimineli, por jo nga telefonata që do t’i bëhej prej së larti.
Teksa bandat ndesheshin në këtë qytet me njëra-tjetrën, Pllanaj vijonte biznesine tij , duke ndërtuar haptazi në qytet një pallat shumëkatësh.
Prej 2013, disa drejtorë policie u ndërrruan, dhe ndonëse këmbengulnin se po zbatonin ligjin, asnjëri prej tyre, as drejtorë, zëvendësdrejtorë, shefa te krimit ekonomik nuk e panë se si po mbinte një kërpudhe 10-katëshe.
Kjo sylidhje përkonte me kohën kur në polici cep më cep të Shqipërisë përfundonte për ndërtim pa leje në burg dhe ndonjëri që i kishte lëvizur tulla e çatisë. Por Pllanaj shpëtoi lehtësisht, dhe hetimi i 2018 për pastrim parash per objektin e sekuestruar u pushua. Se çfarë e bënte Pllanajn të fuqishëm, nuk u qartësua as kur nga hetimi për grupin e trafikanteve të Vilunit, të drejtuar nga një prokuror aktual në SPAK agjentët nuk munden dot ta hapnin derën e makinës së deputetit më të cilin ai po udhëtonte. Policët raportuan në atë kohë, pasi ngritën një postbllok në Kamëz për ta kapur Pllanajn , deputeti nuk pranoi të hapte derën e makinës.
Agjentët telefonuan prokurorin mbas 25 minutave përplasje me deputetin, por prokurori nga ana e tij thotë se ju kishte thënë në telefon : zbatoni ligjin.
Edhe në këtë rast, megjithë pergjimet njëvjeçare për këte trafik droge me skafe nga Velipoja, Pllanaj doli i palagur, pavarësisht se në atë kohë raportohej për emra potencialë me të cilet 46- vjeçari komunikonte.
Me nofkën “Kumbari”, për qytetarët e Shkodrës nuk donte shumë hetim të thelluar të kuptohej se diçka përfaqësonte ky shtetas, përderisa një lokal në këtë qytet nuk u arrit të mbyllej as gjatë pandemisë.
Për ata që njohin krimin në Shkoder, vrasja e tij në Dobraç konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kriminale pas ekzekutimit të Edmir Koçisë, ndodhur ne 2012.