Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rënda që tronditën sot kryeqytetin, ku Etleva Kurti u vra në oborrin e banesës së saj në Kamzë.
Sipas policisë, ngjarja dyshohet se ka si shkak hakmarrjen, për shkak se 31-vjeçarja është motra e Vladimir Kurtit, i dënuar me burgim për përjetshëm për vrasjen e Agim Bucit.
Në të tilla rrethana, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për gjakmarrje pasi vëllai i viktimës, para disa vitesh i ka bërë atentat një çifti, ku burri ka humbur jetën e ndërsa gruaja ka shpëtuar.
Në vitin 2018, Vladimir Kurti ka vrarë Agim Buçin në dyqanin e tij, në prani të djalit të vogël 6 vjeç gjatë një tentative grabitje Për këtë krim ai është dënuar me burgim të përjetshëm.
Më datë 24.04.2018, i dyshuari Vladimir Kurti është takuar me të dyshuarin tjetër, Rruzhdi Hoda dhe i ka thënë këtij të fundit se do të kryenin një “punë” bashkë, do të shkonin të vidhnin diku.
Të nesërmen, më 25.04.2018, i dyshuari Rruzhdi Hoda, me automjetin e tij tip “Golf” me targë AA 269 KF, ka shkuar pranë banesës së të dyshuarit Vladimir Kurti. Ky ka marrë këpucët dhe dorashkat në shtëpi dhe i është drejtuar automjetit.
Më pas, ata i janë drejtuar rrugës “Miqësia” në Kamzë dhe kanë parkuar automjetin në atë zonë. Kanë ecur në këmbë përgjatë bulevardit “Berisha” dhe janë kthyer te kthesa që të dërgon për të marketi i viktimës, Agim Buci. Rreth 30 metra para se të hynin në dyqan, Vladimiri i ka dhënë Rruzhdiut një thikë buke me bisht druri, një palë dorashka dhe një kapuç. Vladimiri që kishte veshur një xhup të zi me kapuç, ka ecur bashkë me Rruzhdiun drejt dyqanit. Rreth pesë metra përpara se hynin në dyqan, Vladimiri ka nxjerrë pistoletën nga brezi dhe është futur brenda, i ndjekur nga Rruzhdiu me thikë në dorë.
Pasi kanë hyrë brenda, Vladimiri është afruar te kasa e parave për të marrë këto të fundit. Pranë saj ndodhej fëmija i mitur i viktimës. Gruaja e viktimës, Rita Buci, pasi ka parë Vladimirin te kasa, është munduar ta godasë me disa produkte ushqimore. Në atë moment, Vladimir Kurti ka qëlluar më pistoletë dhe e ka plagosur në këmbë. Pas të shtënës, është afruar Agim Buci, i cili është përleshur me Vladimir Kurtin. Ky i fundit e qëlloi me pistoletë edhe atë. Pas ngjarjes, të dy të dyshuarit kanë vrapuar të maskuar deri te bulevardi “Berisha”.
Para se të dilnin nga aty, kanë hequr maskat dhe kanë vijuar të ecin normalisht. Pasi kanë hipur në makinë, kanë shkuar te Lumi i Bovillës dhe nga ura e Zgafnorit kanë hedhur maskat, dorashkat, xhupat dhe pantallonat në lumë.
Dy të arrestuarit kanë pranuar krimin, por asnjëri prej tyre nuk pranoi t’i kishte qëlluar më armë Agim Bucit apo Rita Bucit. Megjithatë, kamerat e sigurisë kanë treguar mirë se ka qenë Vladimir Kurti ai që ka qëlluar, përkundër manovrave të përdorura në Gjykatë, duke mbajtur qëndrim mohues.