Çështja e inceneratorëve është prej kohësh në qendër të vëmendjes, pas arrestimit të ish-deputetit Alqi Bllako. Bllako po hetohet si i përfshirë në këtë aferë, duke u bërë zyrtari i dytë i vendosur në pranga nga SPAK, pas ish-ministrit Lefter koka.
Për këtë çështje, në emisionin “Breaking” kanë folur dy juristët Brisilda Gjikondi dhe Saimir Vishaj, të cilët kanë theksuar se SPAK duhet ti shkojë deri në fund hetimeve.
Vishaj tha se e rëndësishme është të gjurmohen paratë që janë shpërdoruar dhe përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ky abuzim, ndërsa theksoi se ky është vetëm fillimi i punës së SPAK.
“Ky është fillimi i një qëllimi të saktë që ka ngritja e SPAK, institucion i posaçëm kundër krimit dhe organizatave kriminale, tani kemi një prokurori të posaçme punon më vete, e pavarur, kemi dhe BKH.
Mos të kënaqemi vetëm me disa vite burg dhe arrestime. Gjithsecili do japë llogari për ato që ka bërë. Kjo prokurori, përveç individëve, po heton dhe gjurmon para. Paraja e vjedhur nga kjo aferë ku ka shkuar,nëse është e e materializuar. Nëse hetimi çon në sekuestrim të pasurive që janë ngritur në dëm të qytetarëve atëherë kjo prokurori ka vepruar. Reforma në drejtësi duhet të arrijë të shkëputë drejtësinë nga kthetrat e politikës. Ekzekutivi nuk duhet të ndërhyjë, SPAK duhet t’i ketë duart të lira.”- tha ai.
Brisilda Gjikondi theksoi se duhet të shkohet më tej me hetimin, duke tejkaluar pengesat e ekzekutivit. Sipas saj SPAK po heton aq sa lejon ekzekutivi, duke mos “i shpëtuar” ndikimit të politikës.
“Nuk besoj që SPAK-ut i kanë munguar indicet për të hetuar këtë aferë. Në rastin konkret, jo vetëm që duhet të ndiqen dhe të dënohen “jakat e bardha”, por dhe të sekuestrohen fondet që janë zhdukur nga kjo aferë. Kemi një fenomen që është gjithmonë politika i hap çështjet ligjore, dhe kjo është provë që drejtësia është e kapur. SPAK heton sa e lejon ekzekutivi. Koka dhe Bllako nuk janë peshqit e mëdhenj, janë dora e dytë dhe e tretë. Duhet hetuar në thellësi për t’i shkuar deri në fund.”– tha Gjikondi.