Për gjashtë orë me radhë, dëshmuan këtë të martë në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit 10 të akuzuarit për dosjen e inceneratorit të Elbasanit

Gjyqi u mbyll pa një vendimmarrje nga ana e GJKKO, që caktoi datën 21 shkurt për seancën e radhës, ku pritet të japë vendimin nëse do ta kalojë çështjen për gjykim themeli apo do t’ia kthejë pas SPAK-ut.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, tetë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, së bashku me avokatët përkatës kanë deklaruar pafajësi për këtë çështje.

Koka në seancën me dyer të mbyllura ka thënë se ky proces është i montuar dhe akuzat ndaj tij janë politike. Avokati i tij ka kërkuar që të pushohen dy akuzat në ngarkim të zyrtarit më të lartë që merret në akuzë për këtë çështje. Pra, të pushohet akuza e shpërdorimit dhe ajo e pastrimit të parave.

Alqi Bllako, i cili akuzohet për shkak të detyrës që ka mbajtur si sekretar i Përgjithshëm dhe si zyrtari më i lartë sa i takon procedurave për thirrjen për koncesion pa kryer procedurat e duhura, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe se të gjithë koncesionin e kanë thirrur anëtarët e komisionit, por, shton ai, edhe këta të fundit kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë thyer asnjë rregullore./ Top Channel